Lamtumirë mik!

Martin Nika

 


Ka momente në jetën e njeriut kur nuk mund të bëhesh dot i fortë sa duhet. E tillë ishte dita kur punonjësit e Gardës mes lotësh e dhimbjes i dhanë lamtumirën e fundit Major Martin Nikës.

Miku i të gjithëve, ushtaraku i përkushtuar, familjari model, Martin Nika e humbi jetën në mënyrë tragjike natën e 24 Majit 2018, kur një makinë e përplasi dhe pasoja ishte fatale.

Martini u lind në Shkodër, në 01.01.1968, ku kreu edhe shkollën e mesme.

Shef Martini, siç njihej mes punonjësish, e ka nisur udhëtimin në Gardën e Republikës kur ishte akoma i ri. Ishte viti 1989 kur 21 vjeçari nga Shkodra do të bëhej pjesë e strukturave të Gardës për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe që nga ajo ditë deri në natën fatale të 24 Majit jeta e tij ishte e lidhur me këtë Institucion. Në 16.03.1990 fillon punë si nënoficer në Kompaninë Operative.

Jeta aktive dhe pjesëmarrja në vepritaritë sportive u kurorëzua në vitin 1996 me vendin e parë në Kampionatin Kombëtar të Boksit për peshën 91 kg, rezultat që u përsërit në vitin 1998.

Ambicia dhe dëshira për të ecur përpara ishin promotorë të ecurisë së mëtejshme të Martinit. Në vitin 2004 përfundon me rezultate shumë të mira Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve në specialitetin e sporteve ndeshëse dhe kalitëse dhe në vitin 2005 titullohet Oficer.

Në nderim të kolegut dhe mikut, shokut dhe familjarit të përkushtuar, në ambientet e Komandës së Gardës u zhvilluan homazhe ku morën pjesë veç familjarëve e kolegëve edhe personalitete të jetës politike por dhe qytetarë që e kishin njohur Martinin.

Duke i shprehur ngushëllime të thella familjarëve e kolëgëve,

Me nderim, Garda e Republikës!

stema

© Garda e Republikës 2018 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.