Analiza Vjetore 2018

IMG_5575


Në ambientet e Komandës, me pjesëmarrjen e Zëvendësministrit të Brendshëm, Z.Besfort Lamallari, u zhvillua sot Analiza vjetore e Gardës për vitin 2018. Kjo analizë u zhvillua pas analizave vjetore të kryera në të gjitha strukturat dhe u diskutua mbi objektivat e arritura, problematika të hasura dhe masat që duhet të merren për përmirësimin e punës në mënyrën e drejtimit dhe të bashkëveprimit që do të realizohet në vazhdimësi. Gjatë analizës Komandanti, Gjeneral Sako, mbajti fjalën e rastit. Fjala e tij më poshtë e plotë:

Fjala e Komandantit

“I nderuar Zoti Zëvendësministër Ministër,

Të nderuar të pranishëm,

Pikë së pari më lejoni t’ju  falënderoj ju Zoti Zëvendësministër për praninë tuaj në këtë analizë pune njëvjeçare të Gardës së Republikës, si dhe për gatishmërinë e treguar në asistencën e pakursyer që ka ofruar Ministria e Brendshme për përmbushjen e misionit dhe të detyrës sonë gjatë kësaj periudhe.

Kjo analizë zhvillohet pas analizave vjetore të kryera në të gjitha strukturat, ku u diskutuan objektivat e arritura, problematika të hasura dhe masat që duhet të merren  për një përmirësim  të  punës  në mënyrën e drejtimit dhe të bashkëveprimit në detyrat që do të realizojmë në vazhdimësi.

Garda e Republikës e mbylli vitin 2018 me realizime të kënaqshme të objektivave të paravendosura e të përcaktuara nga Ministria e Brendshme, si dhe të prioriteteve të vendosura nga ana e saj. Këto realizime krijojnë premisa për një reformim të vazhdueshëm në të gjitha drejtimet dhe qasjeve standarde bashkëkohore.

Arritjet janë të prekshme, sidomos në drejtim të sigurisë, të përgatitjes profesionale e trajnimeve për zhvillimin e kapaciteteve organizuese, veçanërisht atyre operacionale. Për këto arritje, falenderimi shkon natyrshëm tek të  gjithë drejtuesit dhe punonjësit e strukturave, të cilët me punën, përkushtimin dhe rigorozitetin e  treguar kanë bërë të  mundur  përmbushjen me sukses të misionit tonë të përbashkët.

Nisur nga fakti i rëndësishëm se Shqipëria po ecën gjithnjë e më pranë bërjes pjesë në Bashkimin Europian, para Gardës së Republikës shtrohet si i domosdoshëm kontributi e roli i saj në krijimim e një imazhi të një shteti me siguri të lartë. Përpos këtij fakti rezulton po ashtu i rëndësishëm roli i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare si vend i renditur krah atyre në luftën kundër terrorizmit. Këtë e vlerësojmë si shtysë për të bërë të mundur përmirësimin e vazhdueshëm të masave të sigurisë në zbulimin dhe parandalimin e çdo rreziku të mundshëm që mund të ndërmerret ndaj PLSH-ve apo çdo objekti që kemi në ruajtje në mënyrë të tillë që të ruajmë klimën e qetësisë e sigurisë kombëtare.

Viti në të cilin kemi hyrë, pëveç të tjerash,  është një vit elektoral dhe si i tillë karakterizohet nga  një  shtim i shërbimeve   në   lëvizje   dhe   në   qendra   të banuara, ndaj kërkon  një   hop   më   cilësor  në   organizimin  e kryerjen   e   tyre me  një vigjilencë e profesionalizëm më të lartë.

Duke e përfunduar, premtojmë se do të garantojmë angazhimin tonë maksimal, përkushtimin dhe besnikërinë ndaj ligjit për përmbushjen e misionit dhe objektivave.

Ju faleminderit!”

 

stema

© Garda e Republikës 2019 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.