Ditën e sotme, Gardën e Republikës e vizitoi Ministri i Brendshëm, Z.Sandër Lleshaj. Në agjendën e kësaj vizite ishte takimi me drejtues të Institucionit dhe më pas pjesëmarrja në stërvitjet e forcave të Njësisë Speciale.
Fokusi i kësaj vizite ishte vëmendja që ju dha Gardës pas miratimit të 3 VKM-ve, të cilat vlerësuan financiarisht punonjësit për punën e palodhur që ata kryejnë në përmbushje të misionit të insititucionit e po ashtu si pjesë e institucioneve të garantimit të sigurisë kombëtare.
Fjalën e hapjes së këtij takimi e mbajti Komandanti i Gardës, Gjeneral Gramos SAKO ku ndër të tjera theksoi rëndësinë që kanë progreset e Gardës në ruajtjen e një imazhi të denjë të një shteti të sigurtë edhe në arenën ndërkombëtare.
Fjala e rastit e Komandantit, Gjeneral Gramos SAKO
“Së pari, lejomëni t’ju falenderoj për të gjithë kontributin dhe mbështetjen që Ministria e Brendshme i ka dhënë Gardës së Republikës gjatë këtij tetë mujori, me gjithë situatën e vështirë dhe të pazakontë që shkaktoi pandemia globale.
Si për shumë struktura ligjzbatuese në vend por edhe më gjerë, gjatë këtij viti realizimi i objektivave ka qenë më i vështirë, ku në disa raste edhe i pamundur. Megjithëkëtë, misioni i Institucionit është përmbushur me sukses dhe pa ngjarje që cënojnë sigurinë e personaliteteve apo objekteve në ruajtje. Kjo, falë punës profesionale dhe të palodhur që drejtuesit dhe çdo punonjës kanë kryer pavërësisht vështirësive të hasura.
Puna e Gardës së Republikës, për këtë tetë mujor, vlerësohet pozitivisht me realizime të kënaqshme të objektivave të paravendosura e të përcaktuara nga Qeveria dhe Ministria e Brendshme, si dhe të prioriteteve të vendosura nga ana e saj.
Këto realizime krijojnë premisa për një reformim të vazhdueshëm në të gjitha drejtimet.
Nisur nga fakti i rëndësishëm se Shqipëria po realizon gjithnjë e më tepër objektivin e të qënit pjesë e familjes së Bashkimit Europian, para Gardës së Republikës shtrohet si i domosdoshëm kontributi e roli i saj në krijimim e një imazhi të një shteti me siguri të lartë. Përpos këtij fakti rezulton po ashtu i rëndësishëm roli i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare si vend i renditur krah atyre në luftën kundër terrorizmit. Këtë e vlerësojmë si shtysë për të bërë të mundur përmirësimin e vazhdueshëm të masave të sigurisë në zbulimin dhe parandalimin e çdo rreziku të mundshëm që mund të ndërmerret ndaj PLSH-ve apo çdo objekti që kemi në ruajtje në mënyrë të tillë që të ruajmë klimën e qetësisë e sigurisë kombëtare.
Së fundmi, miratimi i tre VKM-ve, të cilat vlerësojnë figurën e punonjësit të Gardës edhe më tepër, janë një motivim që secili prej nesh të japë më të mirën e punës së tij të ngarkuar prej ligjit.
Në këto muaj të fundit të mbetura prej vitit, synojmë të përmbyllim objektivat e parealizuara ende dhe të vijojmë garantimin e përmbushjes së misionit të Gardës.”
Nga ana tjetër, në fjalën e tij, përpos respektit për punën e kryer nga çdo punonjës i Gardës, Ministri i vuri theksin rëndësisë që kanë trajnimet dhe motivimi i punonjësve. Meritokracia dhe promovimi në karrierë, sipas Z.Lleshaj, janë çelësi i suksesit të çdo detyre që merret përsipër të kryhet. Në përfundim Ministri e mbylli duke cituar moton me të cilën duhet të funksionojë Garda në çdo kohë e cila është “Grada dhe çdo arritje në karrierë duhet të fitohen, e për këtë vetë institucioni duhet të funksionojë si një familje e madhe ku në qendër është empatia për njëri-tjetrin”.
Pas fjalës së tij, Ministri i Brendshëm ndoqi edhe një stërvitje nga trupat e Njësisë Speciale.