TAKIM ME EKSPERTË TË CIDS

Drejtori i Përgjithshëm i Gardës, Drejtues Madhor Gramos Sako, zhvilloi ditën e sotme takim me ekspertët ndërkombëtarë të Qendrës për Integritet në Sektorin e Mbrojtjes (CIDS), me seli në Norvegji, Z. Svein Eriksen, Z. Kjetil Nilse dhe Drejtuesin e Ekipit Lokal, Z. Arjan Dyrmishi. Takimi ishte në kuadër të hartimit të Planit të Integritetit të Gardës së Republikës, i cili vjen si rezultat i Protokollit të Bashkëpunimit të nënshkruar mes Ministrisë së Brendshme dhe CIDS, mbi  Projektin “Forcimi i Integritetit në Institucionet e Sigurisë në Ballkanin Perëndimor (Faza III)”. Gjatë këtij takimi, u diskutua mbi rëndësinë që ky plan ka në përmirësimin e kuadrit të integritetit në administratën publike, me theks në fushën e sigurisë.

Drejtori i Përgjithshëm, i përshkroi ekspertëve panoramën e deritanishme të punës që Garda ka bërë në përmbushje të detyrimit për hartimin e Planit të Integritetit brenda afateve të përcaktuara. “Për realizimin e këtij dokumenti është ngritur një grup pune, i cili ka filluar të funksionojë që në Prill 2022, duke hartuar së pari një plan pune konkret mbi detajimin e secilës fazë të procesit hartues. Më tej, është vijuar me takime të herëpashershme në formë trajnimesh, me të gjithë drejtuesit e strukturave të Gardës, të asistuara nga eksperti Z. Dyrmishi, për të hedhur në tryezë idetë fillestare mbi hartimin e këtij plani, i cili duhet thënë se parashikohet të ketë një ndikim cilësor në integritetin institucional”– shpjegoi Z. Sako.

Objektivat dhe aktivitetet e realizuara në kuadër të këtij projekti synojnë forcimin e integritetit të punonjësve të institucioneve të sigurisë, i cili është një nga objektivat që lidhet me Strategjinë Ndërsektoriale të Shqipërisë kundër Korrupsionit. Lufta kundër korrupsionit dhe ndërtimi i integritetit përmenden si synime kryesore në Strategjinë e Rendit Publik dhe në Strategjinë e Administratës Publike.

Aktivitetet dhe rezultatet e projektit kontribuojnë gjithashtu në mbështetjen e përpjekjeve të Shqipërisë për anëtarësim në BE dhe më konkretisht në përmbushjen e tre nga pesë prioritetet kyçe të vendosura nga BE-ja, konkretisht: reforma e administratës publike, rritja e profesionalizmit dhe depolitizimit të saj, lufta kundër korrupsionit dhe lufta kundër krimit të organizuar.

Në përmbyllje të takimit, Drejtori i Përgjithshëm i Gardës shprehu mirënjohje për asistencën tepër profesionale të dhënë Gardës nga Z. Dyrmishi dhe siguroi se Plani i Integritetit do të jetë i përfunduar brenda afateve të vendosura dhe do të shërbejë për përmirësimin cilësor edhe në pikëpamje të impaktit të institucionit në publik.

stema

© Garda e Republikës 2022 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.