HISTORIKU I SHKURTËR I GARDËS SË REPUBLIKËS
Fillesat e Gardës
Gjatë historisë së tij populli shqiptar ka patur kurdoherë një trupë të gatshme dhe të armatosur për të ruajtur dhe siguruar personalitetet shtetërore, krahinore, kuvendore, intelektuale dhe klerikale.
Në historinë e Shqipërisë, natyrisht shekulli i pesëmbëdhjetë do të mbetet “Shekulli i Lavdisë së Madhe”- siç e quan De Rada. Për njëzet e pesë vite rradhazi, 1443-1468, Skënderbeu organizoi, drejtoi dhe udhëhoqi njëzet e pesë beteja të mëdha, duke fituar me nder dhe lavdi njëzet e katër prej tyre. Ushtria e popullit të vogël u bë barriera kryesore në mbrojtje të qytetërimit.
Krahas ushtrisë kombëtare, në përbërje të saj në këtë kohë u krijua dhe veproi Garda Pretoriane ose siç do të quhej më vonë Garda mbretërore.
Në krye të Gardës kanë drejtuar gjeneralët më të talentuar të Skënderbeut Ajdin Muzaka dhe Gjergj Balsha.
Sipas fjalorit të gjuhës së sotme shqipe, Gardë quhet: Repart i posaçëm, i përbërë nga trupa të zgjedhura ushtarake, që mbahen për të mbrojtur, a për të ruajtur udhëheqësit e drejtuesit e lartë të një vendi.