Informacionet dhe dokumentet më të kërkuara

Bazuar në nenin 21, e vijues, të ligjit 33/2021 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, pas shpalljes së vendeve të lira të punës, të cilat bëhen publike në faqen zyrtare garda.gov.al, kriteret për t’u bërë pjesë e Gardës, janë:

Kriteret e pranimit

1. Kriteret e përgjithshme të pranimit të shtetasit në Gardë janë:
a) të jetë shtetas shqiptar;
b) të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) të jetë i pajisur me vërtetimin e besueshmërisë;
ç) të ketë përfunduar arsimin e mesëm;
d) të jetë i moshës 19-30 vjeç;
dh) të jetë i aftë nga ana shëndetësore për të kryer shërbim në struktura që, sipas ligjit, lejohet
të mbajnë armë;
e) të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për
kryerjen e një kundravajtjeje penale me dashje;
ë) të mos jetë në ndjekje penale;
f) të mos jetë përjashtuar ose larguar nga puna për shkelje ligjore apo disiplinore;
g) të mos i jetë hequr e drejta e ushtrimit të funksioneve në administratën publike me
vendim gjyqësor të formës së prerë.
2. Në nivelin bazë, shtetasi pranohet si punonjës i Gardës së Republikës, kur, krahas plotësimit të kritereve të përgjithshme, ka përfunduar edhe arsimimin për rolin bazë për punonjës të Gardës në institucionin arsimor të Policisë së Shtetit/ministrisë përgjegjëse për çështjet e rendit dhe sigurisë publike.
3. Bazuar në nevojat e identifikuara për rekrutimin e punonjësve të nivelit të mesëm, në Gardën e Republikës pranohen edhe shtetas që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë dhe që plotësojnë kriteret e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni. Pas përfundimit të kursit të formimit profesional, u jepet grada “nënkomisar”.
4. Pranohet si punonjës i Gardës së Republikës edhe shtetasi që ka përfunduar arsimin përkatës në institucionet arsimore homologe jashtë vendit të njësuara me programet e institucionit arsimor të Policisë së Shtetit, Xhandarmërisë, Karabinierisë, Gardës Civile ose strukturave të tjera të njësuara me to dhe që diplomat e tyre janë njohur dhe ekuivalentuar nga ministria përgjegjëse për arsimin.
5. Të gjithë kandidatët fitues, pas emërimit në detyrë, ndjekin programin e profilizimit të përcaktuar në politikat e arsimimit të Gardës së Republikës.