Ambasadorja e BE-së në Gardë

Komandanti i Gardës, Gjeneral Gramos SAKO, zhvilloi një takim me Ambasadoren e Bashkimit Europian, Zonja Romana Vlahutin. Takimi konsistonte në forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë midis Gardës dhe Bashkimit Europian, me perfaqësuese Znj. Vlahutin.

Ambasadorja vlerësoi punën e punonjësve të sigurisë dhe shprehu gjithashtu mirënjohjen për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar nga punonjësit e Institucionit gjatë eventeve të mëdha të zhvilluara, si përshembull ai në Butrint për “Ditën e Europës”, mbledhjen e Samitit të Natos, etj. Gjithashtu, shprehu mbështetjen e saj personale dhe në emër të delegacionit që ajo përfaqëson për çdo asistencë që Gardës së Republikës do t’i nevojitet në të ardhmen për të përmirësuar edhe më tej punën që kryen çdo ditë.

Gjatë takimit, Zoti Sako u ndal edhe në detyrat e përgjegjësitë që së fundmi do t’i shtohen Gardës së Republikës mbi sigurinë dhe mbrojtjen e anëtarëve që do të kryejnë procesin e Vetingut në Vendin tonë. Ai u shpreh se ky është një angazhim edhe më i madh që duhet të bëjmë për të rritur performancën e Institucionit duke punuar me më tepër profesionalizëm dhe korrektesë maksimale.

Bashkëbiseduesit ranë dakord për të thelluar bashkëpunimin institucional në fushën e sigurisë së personaliteteve të larta të Vendit dhe atyre të huaja, duke përmbushur me sukses misionin e vështirë që ka Garda e Republikës.

Në fund të takimit ambasadorja Vlahutin bëri një vizitë edhe në Muzeun e Gardës së Republikës duke u njohur edhe shkurtimisht me historikun 89-vjeçar të Institucionit.