Fjala e Komandantit me rastin e fillimit të vitit 2019

Të nderuar drejtues dhe efektivë të Gardës së Republikës,
Si fillim, dëshiroj t’ju uroj një vit të mbarë, të lumtur dhe me shëndet në çdo familje tuajën. Viti që lam pas ishte i mbushur me sfida për shkak të dinamikave që pati, e hera herës edhe i mundimshëm për misionin e vështirë që ka çdo punonjës sigurie në detyrën fisnike që kryen. Janë pikërisht këto sfida, të cilat duhet të shërbejnë si motivim për secilin prej jush që të arrijmë suksese edhe më të larta se ato të vitit që sapo mbyllëm.
Përfitoj nga rasti t‘ju shpreh mirënjohjen time për punën e kryer me përkushtim dhe profesionalizëm gjatë vitit 2018, për gatishmërinë dhe devocionin e treguar në kryerjen e misionit të përbashkët.
Këtë vit, Garda e Republikës feston 91 vite të mbushura me histori dhe çdo vit të historisë së Institucionit e bëjmë ne të gjithë së bashku, e bën puna dhe përkushtimi jonë. Falë përkushtimit, angazhimit, kontributit dhe sakrificave tuaja, ne kemi sot këtë Institucion të sigurisë ku fokusi është integriteti dhe profesionalizmi që na bën të ndjehemi krenarë.
Këtë vit duhet të zgjerojmë bashkëpunimin në çdo strukturë, duhet të mobilizohemi për të shtuar sukseset tona, për të pasur një model pune dhe prezantim të ri të Institucionit në drejtim të sigurisë, integritetit dhe performancës individuale.
Garda e Republikës, ashtu si institucione të tjera homologe në botë, kanë pësuar transformime të thella gjatë historisë së tyre, transformim që iu është përgjigjur kushteve dhe rrethanave të caktuara. Sot, Garda është rikonceptuar dhe integruar natyrshëm me strukturat e tjera homologe të sigurisë së personaliteteve.
Ju premtoj se do të keni përherë mbështetjen time që së bashku të nderojmë emrin e Institucionit kudo në vend e më gjerë.
Le të na shoqërojë kjo frymë pozitive përgjatë gjithë vitit 2019.
Punë të mbarë e suksese!