SAMITI I BE – BALLAKANI PERËNDIMOR

Data 6 Dhjetor 2022, do të mbahet mend si një moment historik për Shqipërinë, por jo vetëm, ku lentja optike e të gjitha mediave ndërkombëtare ishte e drejtuar në vendin tonë.

Mbledhja e liderëve të Bashkimit Europian, për të zhvilluar një Samit të përbashkët në një vend të Ballkanit, jashtë habitatit të zakonshëm të mbledhjeve të përbashkëta, shënon një risi edhe për vetë këtë organizëm të rëndësishëm europian. “Ky ishte samiti i parë mes liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që do të zhvillohej në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ky takim është historik. Ky është një takim në të cilin ne po bëjmë histori, sepse po zhvillohet, për herë të parë, në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Për herë të parë, liderët e Bashkimit Evropian dhe liderët e Ballkanit Perëndimor janë rreth të njëjtës tryezë, në vijim të takimeve të mëparshme të zhvilluara në Brdo të Sllovenisë, por edhe takimeve që u zhvilluan disa muaj më parë në Bruksel, në samitin e korrikut.” – do të deklaronte Presidenti i Këshillit Europian, Z. Charles Michel.

Jo vetëm për Bashkimin Europian, jo vetëm për Shqipërinë, jo vetëm për struktruat shtetërore në tërësi, por edhe për vetë Gardën e Republikës, e cila në 94 vite histori duhet thënë se ka organizuar shërbime të shumta sigurie për personalitetet më të rëndësishme botërore që kanë vizituar vendin apo organizime impenjative, ky event shënoi një pikë kyçe dhe tepër domethënëse nga pikëpamja e organizimit të shërbimit të sigurisë. Që prej marrjes së informacionit zyrtar të zhvillimit të Samitit në vendin tonë, e deri në largimin e delegacionit të fundit pjesëmarrës, Garda e Republikës u angazhua maksimalisht dhe me një seriozitet të pashembullt që çdo element i sigurisë të funksiononte sipas standardeve të kërkuara nga vetë Bashkimi Europian.

Në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e vendit, të dedikuara për organizimin e Samitit, Garda e Republikës priti, eskortoi dhe siguroi 37 delegacione në Samitin EU-WB në Tiranë, së bashku me delegacionet e tyre. Prej më shumë se sa 10 ditësh, Garda pati asistencë të ngushtë me stafin përgjegjës për sigurisë e organizimit të eventeve të Bashkimit Europian, i cili qëndroi në vendin tonë për të ofruar sugjerimet përkatëse sa i përket elementëve të sigurisë që standarded e unionit europian kërkonin. Që prej rikoncioneve të herëspashershme të Kompleksit të Samitit me punonjësit e sigurisë të dedikuar për secilin delegacion pjesëmarrës apo ngritjes së një salle koordinimi me pjesëmarrje gjithëpërfshirëse të strukturave më të rëndësishme shtetërore, ishin disa nga risitë që Garda vuri në jetë. Po ashtu, zhvillimi i dy brifingjeve me pjesëmarrje të punonjësve të ambasadave të vendeve të pranishme në Samit, sikurse edhe me punonjës të sigurisë së vetë personaliteteve më të larta shtetërore të Bashkimit Europian, ishte një tjetër arritje e parealizuar më herët, e cila rezultoi të ishte tepër e suksesshme nga pikëpamja teorike dhe praktike e organizimit të sigurisë së Samitit.

Në përfundim të të gjithë aktivitetit, që për nga përmasat kërkonte një angazhim shumë herë më të lartë se sa e zakonshmja, si nga pikëpamja logjistike, ashtu edhe nga ajo e burimeve njerëzore, vlen të theksohet fakti se Garda e Republikës tregoi edhe njëherë vlerat e saj të pamohueshme si një institucion sigurie që ecën nën gjurmët e homologëve të saj ndërkombëtarë.

Vlerësime dhe përgëzime pati edhe nga stafi asistues i Bashkimit Europian, ku ndër të tjera, shefi i sigurisë u shpreh se padyshim ky ishte një organizim që përmbushi të gjitha standarded e kërkuara të BE në drejtim të sigurisë.

Në përmbyllje, pas punës dinjitoze dhe rezultateve të arrira, Drejtori i Përgjithshëm, Drejtues Madhor Gramos Sako, falenderoi të gjithë punonjësit e Gardës të cilët me përgjegjshmëri, korrektesë dhe seriozitet përmbushën misionin e institucionit duke garantuar siguri maksimale për të gjithë pjesëmarrësit e Samitit.

Falenderime dhe mirënjohje, Z. Sako shpreh edhe për strukturat e tjera të sigurisë si ato të Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura, por edhe për strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Bashkisë së Tiranës, e të tjerë, të cilat ofruan bashkëpunim e asistencë të pakursyer.