TETORI ROZË “VRAPO PËR JETËN”

Tetori, apo siç njihet gjerësisht Tetori Rozë për shkak të kauzës së trajtuar, është caktuar si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit në mbarë botën, për të rritur vëmendjen dhe sensibilizimin, zbulimin e hershëm, trajtimin, si dhe kujdesin paliativ të kësaj sëmundjeje.

Fushata sensibilizuese organizohen çdo vit, nëpërmjet të cilave synohet shpërndarja e informacionit në lidhje me shëndetin e gjirit, si rritja e ndërgjegjësimit për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat në të gjithë globin. Mesazhi i përzgjedhur si moto për këtë vit është VRAPO PËR JETËN!

Në kuadër të kësaj nisme, Sektori i Shëndetësisë në Gardë ndërmori një sërë iniciativash për sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin e punonjëseve në Gardën e Republikës, një ndër të cilat ishte organizimi i takimeve për ndarjen e informacioneve përkatëse për parandalimin, ekzaminimet konkrete, konstatimin e hershëm të simptomave dhe trajtimin e tyre.

Po ashtu, u shpërndanë broshura me informacione të thelluara mbi kancerin e gjirit dhe mënyrën konkrete të vetëkontrollit të simptomave që kjo sëmundje shfaq. Në respekt edhe të simbolikës që Tetori Rozë mbart, u vendosën fjongot rozë, të cilat shoqëruan veshjet e secilës përgjatë muajit.

Në bashkëpunim me Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 3 është bërë planifikimi për kryerjen e mamografisë për punonjëset e moshës mbi 40 vjec, bashkëpunim i cili është i trashëguar që prej vitit të kaluar.