Trajnim me Ismet Mehmetin

Në kuadër të trajnimeve dhe rritjes së aftësive profesionale e fizike, Komandanti i Gardës Gjeneral Gramos Sako në bashkëpunim me Shefin e Njësisë Speciale në Gardë, Nënkolonel Simon Zereci, ndërmorën iniciativën për të ftuar për disa ditë Instruktorin e mirënjohur të Arteve Marciale, Zotin Ismet Mehmeti, aktualisht me detyrë instruktor në Policinë e Zvicrës. Duke qenë se ai vetë ka punuar në Reparte të ndryshme të forcave speciale në Shqipëri vite më parë, Z. Mehmeti e pranoi me kënaqësi ftesën dhe trajnimin e punonjësve të sigurisë.
Duke u kthyer pas në kohë mund të themi bindshëm së Z.Mehmeti ka një karrierë të pasur në forcat e armatosura shqiptare, kosovare e më gjerë. Ai u lind në Kosovë dhe filloi punë në vitin 2000 si Instruktor Policie në Bern të Zvicrës. Në vitin 2004 shpërngulet në Kiev dhe punon si Instruktor në Njësinë Speciale për tre vite për tu rikthyer atje ku e nisi karrierën, në Bern, ku fillon punë si Instruktor në Polici. Nga viti 2008 deri në vitin 2015 ka qenë konsulent në OSBE për trajnimin e Forcave Speciale dhe Policinë e Aeroportit të Kosovës. Nga viti 2012 deri në vitin 2014 Z.Mehmeti ka shërbyer si instruktor në Policinë e Shtetit shqiptar, Njësia e Antiterrorit – RENEA. Gjatë këtyre viteve ka kryer një sërë trajnimesh ku mun dtë veçonim atë të Ekspertit të Sigurisë dhe KRAV MAGA MOAR që është një disiplinë e arteve marciale pjesë e mbrojtjes personale dhe trajnimit fizik e cila i pati fillesat në Izrael në vitin 1940, bazat e së cilës janë përdorimi i reflekseve në situata kërcënuese. Ismeti zotëron gjuhën gjermane, ruse dhe serbe.
Me të ardhur në Njësinë Speciale të Gardës së Republikës ai e gjeti veten si në shtëpi. Mikpritja nga ana e shefit të Njësisë dhe fryma e bashkëpunimit që gjeti atje, bënë që gjatë ditëve të trajnimit Ismeti të transmetonte dijet e tij në mënyrën më të lehtë dhe miqësore. Ai shpalosi aftësi teknike të ndryshme të arteve marciale të cilat janë të domosdoshme për punonjësit e sigurisë dhe të Njësisë Speciale në veçanti. Trajnimet u zhvilluan në ambientet e palestrës tërësisht të rikonstruktuar të Njësisë Speciale duke i alternuar me ambientet në natyrë. Gjatë këtyre stërvitjeve u trajtuan tema si: Parimet praktike të vetëmbrojtjes (KRAV MAGA), sjelljet taktike në situata reale, ballafaqimi me agresorin, mbrotja kundër thikës dhe armës.
Pas përfundimit të suksesshëm dhe tepër të frytshëm të trajnimit dy-javor Z.Ismet Mehmeti premtoi se do të kthehet sërisht për bashkëpunime të tjera në të ardhmen