Kanë vetëm 2 muaj që stërviten. Dhe të mendosh që vijnë nga jeta private, dikush nga bankat e shkollës dikush nga punët private e dikush nga tavolina e shtruar nga prindërit.
Ata zgjodhën të bëhen gardistë dhe konkurrimi i bëri fitues. Janë vetëm 30 apo 40 ditë që ushtrohen dhe ndryshimi është i dukshëm.
Falë punës e përkushtimit të drejtuesve dhe personelit të Qendrës së Aftësimit Profesional, bashkëpunimit me Akademinë e Policisë dhe sidomos falë kampionit tonë, Nënkomisar Arjan Rizaj, këta djem premtojnë dhe janë gati për të marrë përsipër detyrat si punonjës të Gardës.
Në një ditë stërvitje dhe qitje që u ndoq me mjaft interes nga drejtues të Gardës, në poligon, nën komandën e Kryekomisar Lazër Qokaj, tek ndjekim një qitje stimuluese, të duket sikur ke përballë profesionist, jo kursant.
Qetësia, saktësia dhe përqendrimi i tyre të emocionon.