Garda e Republikës festë për fëmijët e punonjësve

Me rastin e festave të fundvitit, Garda e Republikës organizoi një aktivitet festiv dedikuar fëmijëve të punonjësve, duke krijuar një atmosferë të veçantë gëzimi dhe ngrohtësie.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Ministrja e Punëve të Brendshme, Znj. Albana Koçiu, e cila përcolli një mesazh mbështetjeje dhe vlerësimi për punën, përkushtimin dhe sakrificën e punonjësve të Gardës dhe uroi veçanërisht protagonistët e këtij aktiviteti, fëmijët. “Gëzimi i tyre sot është falenderimi më i sinqertë për çdo orë shërbimi, shpesh duke sakrifikuar nga koha e çmuar me familjen” – tha Znj. Koçiu.

Po ashtu, në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm, urimin e rastit e përcolli edhe Drejtues i Lartë Sami Kuti, i cili shprehu konsideratat më të larta për çdo punonjës të Gardës për angazhimin e pandalshëm e të pakursyer në përmbushjen e misionit të institucionit. Më tej, Drejtor Kuti shprehu mirënjohjen dhe falenderimin për Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm, Drejtues i Lartë Simon Zereci për ideimin dhe realizimin e këtij aktiviteti, që në llojin e tij ishte i pari i organizuar ndonjëherë. “Dua t’ju përcjell urimet më të mira për një vit të ri të gëzuar e me shëndet të plotë për çdo punonjës, e veçanërisht për vogëlushët, që janë simbol gëzimi e arsyeje për buzëqeshjet tona”-përmbylli fjalën e rastit Drejtori i Përgjithshëm.

Atmosfera festive dhe buzëqeshjet e fëmijëve krijuan një mjedis pozitiv e frymëzues, duke e kthyer këtë aktivitet në një moment të veçantë reflektimi dhe shprese për një vit të ri më të mirë. Fëmijët u përfshinë në aktivitete të ndryshme argëtuese, lojëra festive dhe momente kreative, të shoqëruara me surpriza, ndërsa në përfundim të aktivitetit u ndanë dhurata për të gjithë fëmijët, duke sjellë hare në sytë e tyre.