Në kuadër të planifikimit dhe realizimit të veprimtarive të parashikuara vjetore, nën kujdesin e Drejtorit të Përgjithshëm Drejtues i Lartë Simon Zereci, me praninë e Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm Drejtues i Lartë Sami Kuti dhe të drejtuesve të tjerë të strukturave në Gardë, nën drejtimin e Instruktorit për Përgatitjen e Zjarrit Kryekomisar Lazër Qokaj, institucioni organizoi dhe zhvilloi një mësim tregues për Përgatitjen e Zjarrit – Qitje, në Qendrën e Aftësive Profesionale, ku pjesëmarrës për t’u trajnuar ishin punonjësit me funksion Specialistë për Planëzimin dhe Stërvitjen në strukturat e Gardës, me qëllim standardizimin e qitjeve me armët e zjarrit në përdorim në Gardën e Republikës. Ky mësim tregues realizohet duke u fokusuar në përmirësimin e aftësive teknike dhe taktike të personelit në përdorimin e armatimit, si dhe në respektimin rigoroz të rregullave të sigurisë gjatë zhvillimit të qitjes. Nëpërmjet një kombinimi të njohurive teorike dhe ushtrimeve praktike, punonjësit u njohën me parimet bazë të përgatitjes për qitje, kontrollin e armës, qëndrimin korrekt, frymëmarrjen dhe teknikën e saktë të goditjes në objektiv. Një rëndësi e veçantë iu kushtua disiplinës gjatë përdorimit të armëve, respektimit të zinxhirit të komandimit dhe reagimit të shpejtë e të kontrolluar në situata të ndryshme operacionale.
Pjesa praktike e mësimit tregues përfshiu zhvillimin e ushtrimeve të qitjes në poligon. Këto ushtrime synonin jo vetëm rritjen e saktësisë dhe efikasitetit në goditje, por edhe forcimin e vetëbesimit dhe të aftësisë për të vepruar në mënyrë të koordinuar. Punonjësit patën mundësinë të aplikojnë në praktikë njohuritë e marra, duke u përfshirë aktivisht në skenarë të kontrolluar dhe duke marrë vlerësime të drejtpërdrejta nga Instruktori Kryekomisar Qokaj.
Mësime të tilla treguese shërbejnë gjithashtu si një platformë për zhvillimin e mëtejshëm të programeve të trajnimit, duke kontribuar në rritjen e gatishmërisë dhe profesionalizmit të personelit të Gardës.
