Me mbështetjen e stafit të sigurisë së Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, u zhvillua një trajnim tre-ditor për punonjësit e sigurisë së Gardës së Republikës, në kuadër të rritjes së kapaciteteve profesionale dhe përmirësimit të standardeve të sigurisë.
Trajnimi u fokusua në përvetësimin e njohurive bashkëkohore mbi procedurat e kontrollit dhe sigurisë, me theks të veçantë në përdorimin e pajisjeve X-Ray, interpretimin e imazheve dhe identifikimin e objekteve të rrezikshme, që kalojnë në skanerat e hyrje-daljeve të objekteve. Punonjësit e Gardës u njohën me teknikat e avancuara të analizës së imazheve, këndvështrimet e tyre, analizën e ngjyrave dhe njohjen e sendeve të ndaluara dhe të kufizuara.
Një komponent i rëndësishëm i trajnimit ishte edhe trajtimi i çështjeve që lidhen me komunikimin efektiv, identifikimin e sjelljeve të dyshimta dhe menaxhimin e situatave që përbëjnë kërcënim për sigurinë, përfshirë armët, mjetet shpërthyese dhe objekte të tjera të rrezikshme.
Në kuadër të pjesës praktike, u zhvilluan ushtrime mbi kontrollin fizik të personave, zbulimin e sendeve të fshehura dhe zbatimin e procedurave të kontrollit të aksesit. Trajnimi përfshiu gjithashtu njohuri mbi reagimin ndaj emergjencave të sigurisë dhe rolin e efektivëve në situata kritike.
Në përfundim të trajnimit, punonjësit iu nënshtruan testimeve teorike dhe praktike për vlerësimin e njohurive të përfituara.
Ky trajnim përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjen e standardeve të sigurisë, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.







