Samiti IV i Diasporës, i zhvilluar në Tiranë, në data 13-15 Prill, përbën një platformë të rëndësishme bashkëpunimi që sjell së bashku shqiptarët nga mbarë bota, me synim forcimin e lidhjeve me atdheun dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, kulturor dhe social. Ky aktivitet i nivelit të lartë mblodhi përfaqësues të institucioneve shtetërore, personalitete të njohura të diasporës, si dhe partnerë ndërkombëtarë.
Në kuadër të organizimit të këtij samiti, Garda e Republikës ndërmori një sërë masash të detajuara për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së aktivitetit, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit dhe institucionet e tjera ligjzbatuese. Mbështetur në përcaktimet e ligjit nr. 33/2021 “Për Gardën e Republikës”, strukturat e Gardës u angazhuan në sigurimin fizik të personaliteteve të larta shtetërore dhe të delegacioneve të huaja, organizimin dhe realizimin e eskortimeve, si dhe në kontrollin dhe sigurimin e perimetrit të objekteve ku u zhvillua aktiviteti. Gjithashtu, u morën masa për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë lëvizjeve dhe qëndrimit të personaliteteve të huaja, koordinimin e planeve të masave me Policinë e Shtetit, organizimin e zbatimin e masave të sigurisë në regjimin e hyrje-daljeve dhe kontrollin e aksesit në ambientet e samitit, duke siguruar një funksionim të pandërprerë të aktivitetit dhe me standarde të larta sigurie. Zbatimi me rigorozitet i protokolleve të sigurisë, si dhe përdorimi i praktikave më të mira profesionale, mundësuan zhvillimin e aktivitetit në kushte optimale sigurie dhe normaliteti.
Ky angazhim i suksesshëm konfirmon edhe njëherë rolin e Gardës së Republikës në garantimin e sigurisë dhe imazhit institucional të vendit në organizime të rëndësisë së veçantë me pjesëmarrje të personaliteteve ndërkombëtare.








