Ditën e sotme, Drejtori i Përgjithshëm Drejtues Madhor Simon Zereci prezantoi në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes projektbuxhetin e institucionit për vitin 2027, ku paraqiti kërkesat buxhetore, prioritetet kryesore dhe projektet e planifikuara për zhvillimin dhe modernizimin e mëtejshëm të institucionit.
Gjatë raportimit, u theksua se projektbuxheti për vitin 2027 parashikohet në vlerën 2,84 miliardë lekë, me një rritje prej 2,6% krahasuar me vitin 2026. Ky financim synon të garantojë kapacitetet e nevojshme njerëzore, logjistike dhe teknologjike për përmbushjen me efektivitet të misionit të Gardës së Republikës në garantimin e sigurisë së personaliteteve shtetërore dhe objekteve në përgjegjësi të saj.
Në prezantimin e tij, Drejtori i Përgjithshëm vuri në dukje rëndësinë e administrimit me përgjegjshmëri dhe eficiencë të fondeve publike, duke evidentuar se mbështetja buxhetore nuk lidhet vetëm me garantimin e funksionimit të institucionit, por edhe me ruajtjen dhe rritjen e standardeve të sigurisë, gatishmërisë dhe profesionalizmit.
Një pjesë e rëndësishme e projektbuxhetit i kushtohet shpenzimeve të personelit, përfshirë pagat, kompensimin ushqimor dhe kompensimin për veshjen civile, si dhe mbulimit të shpenzimeve të nevojshme për funksionimin e përditshëm të strukturave të Gardës.
Sa i përket investimeve, për vitin 2027 ato janë parashikuar të kenë një rritje prej 10% krahasuar me planin e vitit 2026. Projektbuxheti i vitit 2027 synon të mbështesë zhvillimin institucional, forcimin e kapaciteteve operacionale dhe përmirësimin e vazhdueshëm të infrastrukturës dhe kushteve të punës së personelit, në funksion të përmbushjes së misionit ligjor të Gardës së Republikës.






