Drejtori i Përgjithshëm në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes

Sot, Drejtori i Përgjithshëm, Drejtues i Lartë Simon Zereci, mori pjesë në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, lidhur me projektbuxhetin e vitit 2026 për Gardën e Republikës, i hartuar sipas legjislacionit financiar “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, udhëzimeve të Ministrisë së Financave e Ministrisë së Brendshme.

Në prezantimin e tij, Drejtori i Përgjithshëm bëri një përshkrim të përgjithshëm të vlerës së të gjithë buxhetit, sipas zërave të posaçëm, duke evidentuar faktin e rritjes së fondit buxhetor të akorduar për vitin 2026. Duke iu referuar tavaneve buxhetore të parashikuara në projektligjin “Për buxhetin e vitit 2026”, rezulton se buxheti i parashikuar për Gardën e Republikës, për vitin 2026 do të jetë me një rritje prej 9 %, krahasuar me vitin 2025. 

“Garda e Republikës gjatë periudhës 2026 – 2028, synon të përmbushë misionin e saj të përhershëm duke përmirësuar kapacitetet operacionale me qëllim përafrimin gjithnjë e më shumë me standardet e sigurisë së institucioneve homologe europiane” tha ndër të tjera Drejtues i Lartë Simon Zereci. Referuar kërkesave të Gardës së Republikës dhe tavaneve të parashikuara në projektligjin e buxhetit të vitit 2026, rezulton se me këto tavane garantohet mbështetja dhe funksionimi normal i strukturave të institucionit, nëpërmjet financimit të shpenzimeve të nevojshme sipas zërave të cituara më sipër.

Linku i videos