Drejtori i Përgjithshëm takim me Zëvendës Shefen e Misionit në detyrë Kathryn Hammond

Drejtori i Përgjithshëm Simon Zereci zhvilloi një takim me Zëvendësshefen e Misionit në detyrë të Abasadës së SHBA në Tiranë, Znj. Kathryn Hammond. 

Në fokus të takimit ishte diskutimi mbi vijimin e urave të bashkëpunimit mes Gardës së Republikës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nëpërmjet ambasadës së tyre në Shqipëri, veçanërisht sa i përket zhvillimit të kapaciteteve profesionale përmes trajnimeve të ndryshme.

Znj. Hammond shprehu konsiderata të larta për korrektesën dhe profesionalizmin e punonjësve të Gardës e njëkohësisht vlerësoi rolin e Drejtorit të Përgjithshëm në mbarëvajtjen dhe organizimin e institucionit, sidomos kur në rastin konkret bëhet fjalë për një drejtues më nje karrierë 30 vjeçare në strukturat e Gardës së Republikës. Ajo siguroi vijimin e këtij bashkëpunimi dhe organizimin e trajnimeve në një kohë të afërt.

Nga ana tjetër, Drejtori i Përgjithshëm nënvizoi mirënjohjen për ndihmën e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhënë Gardës përgjatë gjithë këtyre viteve, dhe njëkohësisht evidentoi faktin e nevojës për vijimin e kësaj ndihme edhe në të ardhmen. “Do të ishte frytdhënëse eksperienca nga struktura të sigurisë amerikane, jo vetëm për të marrë njohuri të reja të fushës, por edhe për të zhvilluar më tej ato njohuri që punonjësit kanë në kryerjen e misionit të Gardës” – tha Drejtori i Përgjithshëm, Drejtues i Lartë Simon Zereci.