Sot, në Ditën e Dëshmorëve të Atdheut, përulemi me nderimin dhe respektin më të lartë përpara veprës dhe sakrificës së atyre që dhanë jetën për lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Shqipërisë.
Në cilësinë e titullarit të Gardës së Republikës, shpreh mirënjohjen më të thellë institucionale për dëshmorët e Atdheut, të cilët përbëjnë themelin moral dhe historik të vendit tonë. Kontributi i tyre i jashtëzakonshëm mbetet një udhërrëfyes i përhershëm për përmbushjen me integritet dhe përgjegjësi të detyrave në shërbim të vendit.
Garda e Republikës vijon të përmbushë misionin e saj, duke ruajtur njëkohësisht me përkushtim të veçantë kujtimin dhe respektin për dëshmorët e Atdheut. Vlerat që ata mishërojnë – përkushtimi, sakrifica dhe besnikëria ndaj vendit – mbeten busull orientuese në ushtrimin e përditshëm të detyrës.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve të Atdheut!
