Urimi i Drejtorit të Përgjithshëm me rastin e 97 vjetorit të krijimit të Gardës së Republikës
Të nderuar punonjës dhe ish punonjës të Gardës së Republikës,
Sot, në këtë ditë të veçantë për Gardën e Republikës së Shqipërisë, kam kënaqësinë dhe nderin t’ju përcjell urimet më të sinqerta me rastin e 97-vjetorit të themelimit të këtij institucioni të spikatur dhe me vlera historike në fushën e sigurisë kombëtare.
Që nga 24 qershori i vitit 1928 e deri më sot, Garda e Republikës ka qenë një shtyllë e fortë në zinxhirin e institucioneve të sigurisë në vend, duke përmbushur me korrektesë dhe dinjitet misionin e ngarkuar nga ligji. Rrugëtimi i saj është një histori përkushtimi dhe sakrifice në çdo kohë e rrethanë, përfaqësuese e vlerave të larta të disiplinës, ndershmërisë, sakrificës dhe përgatitjes së vazhdueshme profesionale, duke ruajtur integritetin institucional edhe në kohë sfidash.
Ky përvjetor përfaqëson simbolin e një rrugëtimi të gjatë përmes ndryshimeve historike, sfidave dhe zhvillimeve shoqërore, në të cilat Garda ka ditur gjithmonë të mbajë lart flamurin e profesionalizmit. Si dëshmitare e disa epokave, asnjëherë nuk ka lëkundur qëndrueshmërinë e saj në shërbim të misionit.
Shfrytëzoj këtë rast për të përgëzuar nga zemra të gjithë punonjësit që shërbejnë sot me devotshmëri në radhët e Gardës. Ju jeni vazhdues të një tradite gati një shekullore, që kërkon përkushtim, përgatitje të lartë dhe ndjenjë të thellë përgjegjësie. Në çdo detyrë që kryeni, ju tregoni qytetari, profesionalizëm dhe përkushtim ndaj institucionit. Sot, më shumë se kurrë, Garda përfaqëson jo vetëm një strukturë të rëndësishme të sigurisë në vend, por edhe një institucion me reputacion, duke u radhitur denjësisht përkrah institucioneve homologe.
Me përulësi e respekt të veçantë nderojmë sot të gjithë ish-punonjësit e Gardës që kontribuuan ndër vite për ndërtimin e këtij institucioni, si dhe ata që nuk janë më mes nesh, por që e lanë emrin e tyre të gdhendur në historinë e tij.
Në emrin tim personal dhe në emër të të gjithë drejtuesve të Gardës, uroj që ky përvjetor të na frymëzojë të gjithëve për të punuar edhe më me përkushtim, për të ruajtur dhe forcuar më tej standardet që na karakterizojnë, si një ndër institucionet më të besueshme dhe më të respektuara.
Urimet më të përzemërta për të gjithë punonjësit e Gardës! Qofshi gjithmonë krenaria e uniformës, simboli i dinjitetit që përfaqësoni dhe mburoja e qetësisë dhe sigurisë.
Gëzuar 97-vjetorin e krijimit të Gardës së Republikës së Shqipërisë!
Me respekt,
Drejtues i Lartë Simon ZERECI
Drejtor i Përgjithshëm