Gëzuar 98 vjetorin e krijimit të Gardës së Republikës!
Të nderuar punonjës dhe ish-punonjës të Gardës së Republikës,
Të nderuar bashkëpunëtorë e dashamirës të Gardës së Republikës,
Me rastin e 98-vjetorit të krijimit të Gardës së Republikës së Shqipërisë, kam nderin dhe kënaqësinë t’ju përcjell urimet e mia më të përzemërta, së bashku me vlerësimin dhe mirënjohjen për kontributin e çmuar që secili prej jush ka dhënë dhe vijon të japë në shërbim të këtij institucioni.
Kjo datë e rëndësishme na jep mundësinë të reflektojmë mbi historinë e pasur të Gardës, një histori e ndërtuar mbi përgjegjshmërinë, disiplinën dhe përkushtimin e brezave të tërë të gardistëve, të cilët kanë shërbyer me ndershmëri dhe profesionalizëm në mbrojtje të personaliteteve dhe objekteve të rëndësisë së veçantë.
Për gati një shekull, Garda e Republikës ka qenë një institucion i besueshëm dhe i qëndrueshëm, duke u përshtatur me zhvillimet e kohës dhe duke përmbushur me sukses detyrat e saj në shërbim të sigurisë. Arritjet e saj janë rezultat i punës së palodhur, sakrificës dhe profesionalizmit të çdo punonjësi që ka mbajtur me krenari uniformën e Gardës.
Në këtë ditë përkujtimore, shpreh vlerësimin më të lartë për të gjithë punonjësit aktualë të Gardës së Republikës, të cilët me seriozitet dhe përkushtim përballojnë çdo ditë sfidat e detyrës. Angazhimi juaj përfaqëson vazhdimësinë e traditës më të mirë të institucionit dhe garancinë për të ardhmen e tij.
Një mirënjohje e veçantë i dedikohet edhe ish-punonjësve të Gardës, të cilët me kontributin e tyre ndër vite kanë ndërtuar themelet e forta mbi të cilat mbështetet sot institucioni ynë. Po ashtu, nderojmë me respekt kujtimin e të gjithë atyre gardistëve që nuk jetojnë më, por që mbeten pjesë e historisë dhe identitetit të Gardës së Republikës.
Në këtë përvjetor, dëshiroj po ashtu të shpreh mirënjohjen dhe falënderimin e sinqertë edhe për të gjithë bashkëpunëtorët tanë, brenda dhe jashtë vendit, me të cilët Garda e Republikës ka ndërtuar ndër vite marrëdhënie të qëndrueshme besimi dhe bashkëpunimi. Kontributi, mbështetja dhe angazhimi i tyre kanë qenë të vyera në përmbushjen e misionit tonë, në rritjen e kapaciteteve profesionale dhe në forcimin e standardeve të sigurisë. Bashkëpunimi i ndërsjellë mbetet një vlerë e rëndësishme që na ndihmon të përballemi me sukses me sfidat e kohës dhe të avancojmë drejt objektivave të përbashkëta.
Ky përvjetor është jo vetëm një moment krenarie për të kaluarën, por edhe një përgjegjësi për të ardhmen. Ai na motivon të vazhdojmë të forcojmë standardet profesionale, të ruajmë vlerat që na identifikojnë dhe të punojmë me vendosmëri për përmbushjen e misionit tonë.
Duke ju uruar për secilin prej jush shëndet, suksese dhe mbarësi në jetën personale e profesionale, shpreh bindjen se Garda e Republikës do të vijojë të mbetet një institucion i respektuar dhe i besuar, si pjesë e zinxhirit të institucioneve të sigurisë në vend.
Gëzuar 98-vjetorin e Gardës së Republikës së Shqipërisë!
Me respekt,
Drejtues Madhor Simon ZERECI
Drejtor i Përgjithshëm
