Të nderuar punonjës të Gardës së Republikës,
Në përmbyllje të aktivitetit të zhvilluar në datën 16 Qershor, ministerialit të Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore, SEECP, me pjesëmarrjen e 13 liderëve të Europës Juglindore dhe Ballkanit, dëshiroj të ndaj me ju një mesazh të përzemërt mirënjohjeje dhe falënderimi për punën tuaj tepër profesionale.
Ky aktivitet kërkonte angazhim dhe përkushtim, por edhe një koordinim të detajuar e bashkëpunim të ngushtë me struktura të tjera ligjzbatuese, të cilin ju e realizuaat me përgjegjësi, profesionalizëm, dhe një shpirt të vërtetë ekipi.
Çdo detaj i sigurisë së Samitit, që nga pritja e shoqërimi i delegacioneve në pikat kufitare të mbërritjes, sigurimi i ambienteve të akomodimit të delegacioneve, sigurimi i pjesëmarrësve gjatë zhvillimit të aktivitetit zyrtar dhe përgjatë gjithë qëndrimit në vendin tonë, pasqyroi sërish nivelin e lartë të standardeve që institucioni ynë synon të përfaqësojë. Puna juaj është dëshmi se kur përpjekjet tona bashkohen drejt një qëllimi të përbashkët, mund të arrijmë suksese të mëdha.
Ju falënderoj sinqerisht për angazhimin, energjinë dhe përkushtimin tuaj gjatë gjithë zhvillimit të Samitit SEECP.
Falënderoj po ashtu edhe strukturat e Policisë së Shtetit, Policinë Bashkiake dhe Forcat Renea për bashkëpunimin tepër korrekt dhe të pakursyer që patën me Gardën e Republikës përgjatë të gjithë angazhimit për sigurinë e të gjithë aktivitetit.
Me respekt dhe mirënjohje,
Drejtues i Lartë Simon Zereci
Drejtori i Përgjithshëm













