Të nderuar punonjës të Gardës së Republikës,
Në vigjilje të përmbylljes së këtij viti, po ju drejtohem me një urim të sinqertë, duke dëshiruar më të mirat për secilin prej jush e familjet tuaja, në ciklin e ri që presim të nisim.
Viti i ri po afron, e së bashku me të rilind natyrshëm shpresa për ditë më të mira, për ripërtëritje dhe përmirësim të atyre ç’ka nuk mundëm të realizojmë sipas pritshmërive përgjatë 365 ditëve që po shkojnë. Ndonëse kemi përmbushur me sukses misionin e Gardës dhe kemi arritur nën frymën e ekipit shumë realizime, ka ende punë përpara për t’i bërë ballë sfidave të së ardhmes. Fundi i vitit është një ndalesë e trenit të kohës për të shprehur mirënjohjen dhe vlerësimet personale për secilin prej jush për punën e palodhur, motivimin, e vendosmërinë me të cilën keni përballuar vështirësitë, të cilat i keni tejkaluar me sukses në këtë udhëtim që ndajmë së bashku.
2023 ka qenë një vit i karakterizuar nga sprova të vështira në rang kombëtar e më gjerë, të cilat në mënyrë të pavullnetshme kanë ndikuar e prekur edhe spektrin e fushës së sigurisë, nga të cilat më të rëndësishmet i kaluam me sukses. Për të dytin vit radhazi, Shqipëria ktheu sytë e të gjithë Europës mbi të. Organizimi i Samitit të Procesit të Berlinit jashtë kufijve të BE, i cili ndodhte për herë të parë, ishte një event që përveç të tjerash, mbante një peshë të konsiderueshme nga pikëpamja e krijimit të një mjedisi të sigurtë për të gjithë pjesëmarrësit në këtë aktivitet. E pikërisht në arritjen e suksesit për një realizim të këtyre përmasave, Garda e Republikës tregoi edhe njëherë vlerat e saj të pamohueshme si një institucion sigurie që ecën nën gjurmët e homologëve të saj ndërkombëtarë dhe që mund të jetë garantuese për sigurinë e çdo personaliteti e delegacioni që viziton Shqipërinë. Të gjitha sukseset dhe arritjet janë arsye të forta për të kërkuar më shumë nga vetja dhe për të mos e reshtur asnjëherë punën për t’u vetëpërmirësuar e perfeksionuar.
Së bashku kemi punuar me përkushtim për të çuar lart emrin e Gardës, por më e mira është e gjitha para nesh dhe jam i sigurt, se viti që vjen do të jetë edhe më i mirë se i tanishmi.
Shpreh besimin tim të plotë se puna juaj do të vazhdojë të karakterizohet nga profesionalizmi dhe dëshira për t’u përmirësuar.
Uroj që ky pasion e përkushtim t’ju ndjekë edhe gjatë 365 ditëve pasuese që po trokasin pas pak. Të gjithë së bashku, do të mundësojmë që Garda e Republikës të vijojë të jetë një institucion elitar i sigurisë në vend!
Qoftë një vit i begatë dhe me sa më shumë kremtime!
Ju faleminderit e gëzuar festat!
DREJTORI I PËRGJITHSHËM,
GRAMOS SAKO