MESAZHI I FUNDVITIT I DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM

Të nderuar punonjës të Gardës së Republikës,

Në këtë prag fundviti, bashkohem me ju në urimet e rastit.

Uroj për secilin prej jush mirësi, shëndet në familjet tuaja dhe shumë suksese.Viti 2022 ka qenë një vit sfidash, ku më të rëndësishmet i kaluam me shumë sukses e ballëlartë.

Teksa po i afrohemi fundit, është një kohë shumë e mirë për t’u ndaluar një moment dhe të shpreh mirënjohjen për punën e palodhur të secilit prej jush. Faleminderit për kontributin e dhënë përgjatë këtyre 12 muajve e për përmbushjen e pakontenstueshme të misionit të Gardës së Republikës. Ndihmuat edhe njëherë që të lartësoni emrin e institucionit. Arritëm të gjithë së bashku të vinim një tjetër gur themeli në historinë 94 vjeçare të Gardës. Arritëm të implementonim tërësinë e kuadrit të ri ligjor e atij nënligjor, arritëm të siguronim e mbronim personalitetet e vendit dhe homologët e tyre, që duhet thënë se kanë qenë të shumtë në numër përgjatë 2022, e mbi të gjitha arritëm të përmbushnim me sukses të plotë e të padiskutueshëm sfidën më të rëndësishme, eventin historik në të cilin, sytë e të gjithë botës ishin drejtuar nga Shqipëria. Për herë të parë, Samiti i Bashkimit Europian u mbajt jashtë kufijve të BE. Mbajtëm mbi supe peshën e përgjegjësisë duke treguar kështu se shërbimi i sigurisë së personaliteteve më të larta shtetërore garantohet në të njëjtin nivel me standardet e vendosura europiane. Në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e vendit, të dedikuara për organizimin e Samitit, Garda e Republikës priti, eskortoi dhe siguroi 37 delegacione në Samitin EU-WB në Tiranë, së bashku me delegacionet e tyre. Jo vetëm për Bashkimin Europian, jo vetëm për Shqipërinë, jo vetëm për struktruat shtetërore në tërësi, por edhe për vetë Gardën e Republikës, Samiti shënoi një pikë kyçe dhe tepër domethënëse nga pikëpamja e organizimit të shërbimit të sigurisë, duke treguar sërish se jemi në lartësinë e detyrës.
Viti që po përmbyllim ka shënuar edhe suksese të tjera, siç ishte pritja e Presidentit të Republikës Federale të Gjermanisë, Presidentit të Republikës së Azerbajxhanit, Presidentit Matarella, Presidentes së Këshillit Europian, e organizime të tjera të rëndësishme siç ishte Samiti i Ministrave të Brendshëm të rajonit, e plot të tjera për tu mbajtur mend. Pranvera e 2023 pritet të mikpresë Samitin e Berlinit, i cili paçka eksperiencës së deritanishme të Gardës në fushën e sigurisë, do të kërkojë padyshim angazhimin maksimal dhe gjithë seriozitetin e merituar në mbarëvajtjen e sigurisë së tij. Kjo, edhe nën frymën e vijimit të rrugëtimi të suksesit institucional.

Të dashur kolegë,

Nuk ka asgjë më të vyer se sa të festosh sukseset e arritura dhe të vjelësh frytet e punës së përditshme e të realizuar me kaq përkushtim. Shpreh besimin tim se edhe vitin në vijim, puna juaj do të vazhdojë të karakterizohet nga përkushtimi, profesionalizmi dhe dëshira për t’u përmirësuar e perfeksionuar më tej, në këtë mision të pashlyeshëm që secili prej nesh ka marrë përsipër të kryejë. Uroj që ky pasion e përkushtim t’ju ndjekë edhe gjatë 365 ditëve pasuese që po trokasin pas pak. Të gjithë së bashku, do të mundësojmë që Garda e Republikës së Shqipërisë të vijojë të jetë një institucion elitar i sigurisë në vend!

Qoftë një 2023 i shkëlqyer me sa më shumë kremtime!

Ju faleminderit e gëzuar festat!

DREJTORI I PËRGJITHSHËM,
GRAMOS SAKO