Pas një karriere të nderuar dhe të përkushtuar në shërbim të Gardës së Republikës, Drejtuesi i Parë Kolin Gjoka, përmbyll një rrugëtim 41 vjeçar si punonjës ushtarak. Drejtori i Përgjithshëm, Drejtues i Lartë Simon Zereci, në një takim miqësor të organizuar ditën e sotme, ku të pranishëm ishin drejtues të strukturave të institucionit, i shprehu Shefit Gjoka, në emër të Gardës, mirënjohjen më të thellë për kontributin e jashtëzakonshëm dhe devotshmërinë e treguar përgjatë ushtrimit të detyrave të tij.
Z. Kolin Gjoka filloi karrierën e tij ushtarake në vitin 1984 duke u emëruar fillimisht në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, në të cilat shërbeu deri në vitin 1998. Më tej, emërohet në funksionin e Zëvendëskomandatit të Baterisë në Repartin 795 në Gardën e Republikës, ku mbajti një sërë funksionesh të rëndësishme. Në vitin 2005 emërohet Shef Shtabi në Batalionin e parë. Në vitin 2013 emërohet Komandant i Njësisë së Parë, strukturë për mbrojtjen dhe sigurinë e Presidentit të Republikës dhe më vonë, në vitin 2017 Komandant i Njësisë së Dytë, përgjegjës për sigurinë e Kryeministrit, funksion në të cilin mbylli edhe karrierën e tij të gjatë në fushën e sigurisë.
Në fjalën e rastit, Drejtori i Përgjithshëm, Drejtues i Lartë Simon Zereci, vlerësoi z. Kolin Gjoka në emër të Gardës së Republikës. Ndër të tjera, ai u shpreh:
“Sot, përcjellim nga radhët e drejtuesve të Gardës së Republikës një ushtarak, që për dekada me radhë ka mishëruar vlerat më të larta të uniformës: përkushtimin, profesionalizmin, disiplinën dhe dinjitetin. Drejtues i Parë Kolin Gjoka ka lënë gjurmë të pashlyeshme në strukturat tona, jo vetëm si ushtarak i zoti, por edhe si njeri me integritet të lartë moral. Shërbimi i Shefit Kolin Gjoka nuk është shënuar vetëm nga përmbushja e detyrave, por edhe nga aftësia për të qenë një model i vërtetë për kolegët dhe vartësit.
Në emër të të gjithë kolegëve e ish kolegëve, i urojmë shëndet, qetësi dhe suksese në çdo hap të ri të jetës civile. Dalja e tij në pension nuk është fundi i një rruge, por fillimi i një etape të re, ndoshta shumë më pak dinamike, por me një trashëgimi që do të jetojë gjatë në kujtesën e të gjithëve që patën nderin të punojnë përkrah tij. Në emër të institucionit që përfaqësoj, e falënderoj me përzemërsi dhe i uroj shëndet të mirë, e një jetë të mbushur me gëzim në këtë etapë të re të jetës, në të cilën po hyn me nder e dinjitet. Faleminderit për përkushtimin dhe profesionalizmin. Kontributi yt do të lërë gjurmë në historinë e Gardës së Republikës e do të jetë i çmuar ndër brezat pasardhës!”
Në përmbyllje, Drejtues i Parë Kolin Gjoka falënderoi nga zemra të gjithë kolegët e tij për çdo moment profesional por edhe personal të ndarë së bashku, në shërbim, në përkushtim, sakrifica e arritje. “Kam pasur nderin të jem pjesë e një strukture të rëndësishme sigurie siç është Garda e Republikës. Sot është një ditë e veçantë për mua, pasi po mbyll një karrierë 41 vjeçare si ushtarak. Nuk është e lehtë të ndahesh nga një vend ku ke dhënë të gjithë përkushtimin për vite me radhë. Por mbi të gjitha, nuk është e lehtë të ndahesh nga njerëz që i ke ndjerë si familje. Përgjatë këtyre viteve kemi ndarë jo vetëm detyra dhe përgjegjësi, por edhe sakrifica, kujtime, sfida e arritje, që na kanë formuar dhe forcuar si njerëz dhe si profesionistë. Secili prej jush ka lënë gjurmë në rrugëtimin tim dhe për këtë ju jam thellësisht mirënjohës. Ju uroj sukese në çdo sfidë që ju pret përpara. Ju uroj çdo të mirë, shëndet, forcë dhe vendosmëri për të ecur përpara. Faleminderit për gjithçka” – përmbylli fjalimin e tij Drejtues i Parë Kolin Gjoka.