Nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit

Ditën e sotme, Drejtori i Përgjithshëm në detyrë, Drejtues i Lartë Simon Zereci, nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me Z. Mehmet Kahya, Këshilltar për Punët e Brendshme në Ambasadën e Republikës së Turqisë në Shqipëri, në cilësinë e përfaqësuesit të ngarkuar nga Ministria e Brendshme e Republikës së Turqisë. Ky memorandum përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë dhe trajnimit pofesionaltë punonjësve të Gardës.

Dokumenti synon të nxisë shkëmbimin e përvojave profesionale, organizimin e trajnimeve, si dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale për punonjësit në detyra të rëndësishme në Gardë. Përmes këtij bashkëpunimi do të krijohen mundësi për vizita zyrtare dhe trajnime ndërinsitucionale që rrisin nivelin e profesionalizmit.

Nënshkrimi i këtij memorandumi pasqyron marrëdhëniet shumë të mira mes Gardës dhe strukturave të sigurisë së Republikës së Turqisë, si Xhandarmëria, Policia, e të tjerë, dhe shënon një gur themeli në përforcimin e lidhjeve institucionale në fushën e sigurisë.

Garda e Republikës mbetet e përkushtuar në forcimin e partneriteteve ndërkombëtare dhe modernizimin e strukturave të saj në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.