SAMITET 28-29 SHKURT 2024

Në datat 28 dhe 29 Shkurt, Shqipëria tërhoqi sërish vëmendjen mbarëkombëtare në angazhimin që ndërmori për të realizuar dy samite të njëpasnjëshme, me pjesëmarrje të lartë të liderëve europianë, të cilët i mikpriti në vend. Si çdo sipërmarrje e kësaj natyre, përpos organizimit të të gjithë detajeve insfrastrukturore nga strukturat shtetërore që angazhohen me evente të këtij lloji, rëndësi të veçantë mbart siguria gjatë realizimit të tyre, e në zinxhirin e të gjitha institucioneve që janë aktorë në garantimin e sigurisë së eventeve, padyshim që rol kyç luan edhe Garda e Republikës.

Gjatë realizimit të Samitit të datës 28 shkurt, dedikuar Ukrainës, në të cilin lideri i saj Presidenti Volodymyr Zelenskyy ishte i ftuar, për vetë rrezikshmërinë që një lider i një vendi në luftë ka, Garda e Republikës hartoi një plan masash të dedikuar, me një gatishmëri të përforcuar e me një pjesëmarrje tepër të lartë të punonjësve, duke përzgjedhur ata me më shumë përvojë e duke angazhuar njësinë speciale në rolin CAT, gjatë të gjithë qëndrimit dhe eksortimit të Presidentit Zelenskyy në vend.

Sikurse është bërë traditë për realizimin e sigurisë së eventeve të tilla, nisur edhe nga eksperienca të mëparshme, Garda e Republikës bashkëpunoi ngushtësisht me të gjitha strukturat e dedikuara për realizimin e këtyre dy samiteve, atë të datës 28 “Ukraina – Evropa Juglindore” dhe atë të datës 29 “Plani i ri i rritjes dhe konvergjencës për Ballkanin Perëndimor”, që prej fazave përgatitore e deri në largimin e delegacionit të fundit pjesëmarrës. Institucioni vlerëson maksimalisht të gjitha bashkëpunimet e frytshme me Policinë e Shtetit, Protokollin e Shtetit, Forcat e Armatosura, Bashkinë e Tiranës, SHISH, Ministrinë e Shëndetësisë e të tjerë, pa të cilët do të ishte e pamundur krijimi i një mjedisi të siguritë për pjesëmarrësit e samiteve.

Për sigurimin e 20 delegacioneve pjesëmarrëse, por edhe për realizimin e të gjitha masave të tjera të sigurisë në evente, nga Garda e Republikës u angazhuan 558 punonjës të të gjitha strukturave e niveleve. Disa prej masave të sigurisë ishin:

  •  Krijimi dhe ruajtja e perimetrit të sigurisë së zonës së zhvillimit të samiteve në bashkëpunim me Policinë e Shtetit;
  • Marrja në ruajtje e objekteve të përkohshme si; Pallati i Kongreseve, Hotel Marriott, Hotel Plaza, Restorant Padam Boutique, Aba Center;
  • Sigurimi i rrugëkalimeve për çdo itinerar të lëvizjeve të delegacioneve prej datës 26 Shkurt deri në 1 Mars, që përkon me largimin e delegacionit të fundit nga vendi;
  • Kontrolli kimiko-xhenier me aparatura të posaçme e me qen eksplozivkërkues i automjeteve të delegacioneve përpara lëvizjeve të tyre, por edhe i të gjitha objekteve të përkohshme;
  • Hulumtimi, analizimi dhe sigurimi i çdo informacioni nga sektori përkatës në lidhje me sigurinë përpara zhvillimit të këtyre dy aktiviteteve, e të tjerë.

Po ashtu, në hyrje të perimetrit të samiteve, u krye kontrolli i çdo personi të akredituar për të patur akses në ambientet e dedikuara të tij, me skaner dhe urë detektore. Për të krijuar një panoramë të qartë të funksionimit të sigurisë, në fazat përgatitore u kryen takime të njëpasnjëshme shumëpalëshe me Protokollin e Shtetit, me drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, me punonjës të sigurisë të delegacioneve pjesëmarrëse dhe në përfundim u hartua një plan i përbashkët masash sigurie. Po ashtu, në vijim të këyre takimeve u realizua një i dytë me përgjegjësit e grupeve të sigurisë së delegacioneve në ambientet e Gardës, të cilëve iu shpjegua qartë dhe në mënyrë grafike siguria e delegacioneve dhe mënyra e mbërritjes së secilës eksortë në tapetin e kuq. Këto takime u pasuan me disa të tjera në terren për të shpjeguar çdo masë sigurie në mënyrë konkrete. I rëndësishëm është fakti se me gjithë angazhimin e punonjësve në samite, nuk u lanë jashtë vëmendjes as shërbimet e tjera të sigurisë, të cilat vijuan punën normalisht si çdo ditë tjetër të vitit.

Për kryerjen me devotshmëri dhe në mënyrë tejet profesionale të këtyre shërbimeve impenjative, si nga pikëpamja e kohëzgjatjes, ashtu edhe nga përgjegjësia që siguria e personaliteteve pjesëmarrëse kërkonte, që prej mbërritjes së delegacionit të parë që ishte ai i Komisionerit Europian Olivér Várhelyi në datën 26 shkurt, deri tek i fundit që u largua, ai i CEFTA-s, Drejtori i Përgjithshëm i Gardës, Gramos Sako i falenderoi të gjithë punonjësit që morën pjesë gjatë organizimit të këtyre dy eventeve.

Po ashtu, falënderime dhe vlerësime për shërbimet profesionale të kryera gjatë zhvilimit të samiteve, Garda mori edhe nga Ministri i Brendshëm, Z. Taulant Balla, nga Presidenti i Ukrainës Z. Volodymyr Zelenskyy, nga Ambasadori i Bashkimit Europian, Z. Silvio Gonzato e të tjerë.

Në përfundim të të gjithë aktivitetit, që për nga përmasat kërkonte një angazhim shumë herë më të lartë se sa e zakonshmja, si nga pikëpamja logjistike, ashtu edhe nga ajo e burimeve njerëzore, vlen të theksohet fakti se Garda e Republikës tregoi edhe njëherë vlerat e saj të pamohueshme si një institucion sigurie që ecën nën gjurmët e homologëve të saj ndërkombëtarë.