Më datë 23 Maj, Garda e Republikës pati nderin të mirëpresë një delegacion të gjerë nga Republika e Francës, i përbërë prej 85 pjesëmarrësish, përfaqësues nga një spektër i gjerë institucionesh shtetërore, publike dhe aktorësh të shoqërisë civile franceze. Kjo vizitë u realizua në kuadër të intensifikimit të marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe shkëmbimit të përvojave në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe administrimit publik.
Delegacioni përbëhej nga përfaqësues të niveleve të larta dhe ekspertë të specializuar nga: Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit dhe Rinisë, Ministria e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit, Ministria e Ekonomisë dhe Financës, si dhe nga përfaqësues të Senatit francez, institucioneve të tjera publike, autoriteteve lokale, shoqatave profesionale dhe qytetare, ndërmarrjeve private, përfaqësues të mediave, profesionistë të lirë, si dhe auditorë të huaj me interesa në çështjet e administrimit dhe sigurisë publike.
Gjatë kësaj vizite zyrtare, delegacioni u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës, Drejtues Madhor Ermal Onuzi. Nëpërmjet një prezantimi të mbajtur, pjesëmarrësit u njohën nga afër me misionin dhe detyrat e Gardës. Programi i vizitës përfshinte gjithashtu edhe disa demonstrime praktike të elementeve të punës së përditshme të shërbimit të sigurisë, sikurse edhe një vizitë në Muzeun e Gardës.
Diskutimet u fokusuan në shkëmbimin e praktikave më të mira në fushat e sigurisë dhe forcimit të kapaciteteve të bashkëpunimit ndërkombëtar në nivel institucional.
Vizita u zhvillua në një atmosferë të hapur dhe konstruktive, duke reflektuar vullnetin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të dy vendeve. Pjesëmarrësit shprehën vlerësimin e tyre të lartë për profesionalizmin dhe mikpritjen e Gardës së Republikës, si dhe për angazhimin e saj në përmbushjen e misionit, duke përfshirë edhe realizimin e siguirsë për aktivitete të rëndësishme me impakt ndërkombëtar siç janë Samitet, e veçanërisht atë të datës 16 Maj.
Garda e Republikës shpreh falënderimet e saj më të sinqerta për këtë vizitë dhe mbetet e angazhuar në promovimin e dialogut dhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë në funksion të forcimit të sigurisë.















