Garda e Republikës, për të disatin vit radhazi, i është bashkuar inisiativës sensibilizuese të dhurimit vullnetar të gjakut, për t’i ardhur në ndihmë fëmijëve talasemikë. Ky nuk është një akt rutinë, por është shumë më tepër se kaq. Nëpërmjet këtij akti human, secili prej nesh kontribuon drejtpërdrejtë në shpëtimin e jetëve dhe në përforcimin e kulturës së solidaritetit brenda institucionit e shoqërisë në tërësi, duke i dhënë shpresë dhe jetë personave që përballen me sfida shëndetësore të mungesës së lëngut të jetës.
Përmes kësaj nisme, synohet ndërgjegjësimi i stafit mbi rëndësinë e dhurimit vullnetar të gjakut por njëkohësisht forcohet dhënia e shembullit pozitiv edhe për brezat e rinj që i janë bashkuar Gardës së Republikës.
Çdo pikë gjaku e dhuruar është një dhuratë e çmuar për jetën. Prandaj, Drejtori i Përgjithshëm, Drejtues i Lartë Simon Zereci, inkurajoi të gjithë punonjësit, e çdo structure, të bëheshin pjesë e këtij misioni të përbashkët. Në përfundim të fushatës dyditore në Gardë dhuruan gjak 47 punonjës.






